Nga Manjola Arizaj Zeka
Është surreale ajo çka po ndodh në Shqipëri…
E pabesueshme. Një mendje normale nuk mund ta përceptojë.
Një shpirt që vuan sot bashkë me mjekët e infermierët që luftojnë në kufijtë e të pamundurës, nuk mund ta pranojë.
Po bëhet një poshtërsi e ndyrë, nga mendje djallëzore e të errëta, të nisura kush e di nga çfarë interesash, për të përbaltur, për të nxirë, për të bërë qesharake, sakrificën e 30 mjekëve dhe infermierëve që u nisën në ndihmë të Italisë, në frontin më të vështirë kundër koronavirusit, aty ku me qindra bluza të bardha kanë humbur jetën. Aspak empati për punën e tyre.
Aspak mirënjohje për emrin e mirë që i dhanë Shqipërisë. Asnjë ndjesi për qindra mijëra emigrantët tanë të përlotur nga ky gjest. Aspak dashuri e krenari për mijëra falënderimet e ardhura nga vendi fqinj.
Jo. Gërmojnë si skuthe, si minj, si derra, nëpër plehra, nëpër fjalë e thashetheme, ku të gjejnë ndonjë çengel që të varin trasten e tyre mbetur supeve si endacakë, për ta shitur më pas si gjetje të madhe.
Kundër mjekëve. Kundër të gjithë mjekëve. Kundër sakrificave të tyre në këto kohë. Kundër rrezikut të marrë mesysh, teksa këta prapanicëvarur rrinë pas kompjuterit e intrigojnë me whatsappe e messanger.
Turp për Zotin. Turpi u rëntë mbi kokë, atyre që nuk i mbeshtesin mjekët në këto kohë. Akoma më shumë atyre që përpiqen t’i nxijnë e t’i bëjnë qesharake. Nuk mund të bëhet politikë me mjekët. As nuk mund të bësh shërbyesin e politikës me mjekët.