Ministrja e Re e Shëndetësisë Shpalos Planet, Por Lë Pa Përgjigje Pyetje Kryesore
Në daljen e saj të parë si kryetare e Ministrisë së Shëndetësisë, ministrja Evis Sala ka prezantuar planet e saj për sektorin, me theks të veçantë tek sëmundjet onkologjike dhe një ristrukturim të ri spitalor, i cili parashikon edhe mbylljen e disa spitaleve.
Megjithatë, ministrja nuk dha përgjigje për disa çështje kyçe që prekin drejtpërdrejt qytetarët. Ajo nuk u shpreh lidhur me pajisjet PET scan për kancerin e gjirit apo shërbimet e trombektomisë për ndërhyrjet e trurit, të cilat nuk ofrohen në sektorin publik, duke detyruar pacientët t'i kryejnë në spitalet private me kosto të larta.
Një shqetësim tjetër madhor është rritja e çmimeve të disa barnave, ku qytetarët ankohen se ilaçe që më parë i merrnin falas, tashmë u duhet t'i blejnë. Ministrja nuk dha asnjë informacion se kur do të hyjë në fuqi lista e re e barnave me rimbursim, një çështje me ndikim të drejtpërdrejtë në xhepat e qytetarëve.
Kontratat për koncesionet e hemodializës dhe check-up, të cilat kanë qenë shpesh në qendër të debatit publik, përfundojnë këtë vit. Edhe për këtë pikë, ministrja nuk ofroi qartësi mbi hapat që do të ndiqen. Gjithashtu, mungoi një përgjigje për kontrollin e spitaleve jo-publike, të cilët sjellin mjekë të huaj të palicencuar, rastet me të cilët kanë çuar edhe në humbje jete pak kohë më parë.
Në lidhje me shëndetësinë falas, ministrja theksoi se qytetarët kanë akses në sistemin publik.