Ministria e Arsimit “lan duart” për shkollën e Suçit

0

Kanë kaluar afro 5 muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor 2021 – 2022 dhe ende nuk ka një dritë jeshile për fatin e godinës së Shkollës së Mesme të Bashkuar “Haxhi Lata” në fshatin Suç të Bashkisë së Klosit. Pas përgjigjes së parë, kthyer për Mat Televizion, ku Ministria e Arsimit shprehej se kërkesën për informacion ja kishte përcjellë Ministrit të Shtetit për Rindërtimin, pasi kjo e fundit nuk u përgjigj, ka qenë sërisht koordinatori për të Drejtën e Informimit pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që është përgjigjur.

Në e-mailin e fundit, Ministria e Arsimit dhe Sportit thotë se për s ai përket problemit të godinës së Shkollës së Mesme të Bashkuar “Haxhi Lata” në Suç, për të cilën Bashkia Klos kishte dërguar projekt për financim, MAS sqaron se as tek Ministri i Shtetit për Rindërtimin, nuk ka një informacion se çfarë fati do të ketë ky objekt.

Megjithatë, interesimi ynë do të vijojë edhe në instancat e tjera shtetërore për të mësuar se çfarë do të bëhet me këtë godinë arsimore dhe nëse ajo do të presë vitin e ardhshëm arsimor nxënësit e disa fshatrave të Njësive Administrative Suç dhe Gurrë në Bashkinë e Klosit.

Para se të niste ky vit arsimor, banorë e prindër të nxënësve që kanë frekuentuar prej vitesh këtë shkollë protestuan, duke kërkuar rihapjen e godinës. Kërkesa e tyre u refuzua nga autoritetet për shkak të një konstatimi që kishin bërë inxhinierët e Institutit të Ndërtimit në Tiranë gjatë inspektimit të objektit në Qershor të vitit 2020.