Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës pritet të dalë me kandidatin e tyre për deputet në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit. Ky fakt është lajmëruar nga vetë sindikata e cila ka bërë publike nismën, të cilën pritet ta konkretizojë me mbledhjen e firmave të nevojshme që i duhen një qytetari që të kandidojë si i pavarur në zgjedhje. Sindikata thuhet se ka vendosur të kandidojë kryetarin e saj Elton Debreshin. Në një prononcim për mediat, Debreshi tha se nuk ka qenë vendimi i tij personal për të kandiduar, por i kryesisë së sindikatës dhe mbështetjes së anëtarëve.
Nga ana tjetër, Debreshi tha se arsyeja e vetme e këtij kandidimi është që minatorët e Bulqizës të kenë një zë të tyrin në parlament, jashtë atyre që dalin deputet nga partitë politike.
Që të garojë si kandidat i pavarur në zgjedhjet e 25 Prillit, Elton Debreshit i duhen rreth 1300 firma nga qytetarët.