Presidenti Ilir Meta ka dekoruar pas vdekjes Avni Rustemin me Dekoratën e Flamurit Kombëtar. Në një postim në rrjetet sociale, Meta thotë se ka vlerësuar me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, Heroin e Popullit, Avni Rustemi. Sipas tij, vrasja e Esad Pashë Toptanit më 13 qershor 1920 në Paris, është një ngjarje për të cilën duhet të jemi të gjithë mirënjohës.

“Me rastin e 125-vjetorit të lindjes, në vlerësim dhe mirënjohje të thellë për aktin e Tij të lartë patriotik, që kreu 100 vjet më parë, duke asgjësuar armikun kryesor të brendshëm, që mbante peng procesin e rivendosjes se Pavarësisë e të sovranitetit të shtetit shqiptar të shpallur nga Ismail Qemali, kam sot nderin dhe privilegjin të vlerësoj Heroin e Popullit, Avni Rustemi, me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, më të lartën e Republikës. Akti i tij burrëror dhe mbrojtja dinjitoze e çështjes shqiptare në gjyqin historik të Parisit, patën një jehonë të gjerë ndërkombëtare dhe u bënë burim frymëzimi për qëndresën mbarë shqiptare kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre, gjë që u manifestua në Luftën Kombëtare të Vlorës.”,-shkruan Meta në rrjetet sociale.

FOTOT E POSTUARA NGA META: 

Kush ishte Avni Rustemi? 

Avni Rustemi lindi në Libohovë, (Gjirokastër), më 22 shtator 1895 dhe vdiq në Tiranë, më 22 prill 1924). Ai ishte ishte mësues, publicist, dhe deputet shqiptar. Ka qenë themelues dhe drejtues i shoqërisë “Bashkimi” dhe anëtar i opozitës demokratike i zgjedhur deputet në dhjetorin e 1923. Njihet gjithashtu si ekzekutues publik i Esad Pashë Toptanit, të cilin e konsideronte tradhtar të kombit shqiptar, veprim për të cilin u shpall i pafajshëm nga një gjykatë franceze.