Merr zyrtarisht detyrën e Kryetarit të Bashkisë Mat, Altin Bojni

Merr zyrtarisht detyrën e Kryetarit të Bashkisë Mat, Altin Bojni
Pas afro një muaji nga data e zgjedhjeve të pjesshme vendore në Mat, kandidati fitues i Partisë Socialiste në garën e 9 nëntorit, Altin Bojni ka marrë zyrtarisht detyrën. Në një mbledhje jashtë radhe të Këshillit të Bashkisë Mat, u bë edhe be timi i kryetarit të ri, Altin Bojni që do të drejtojë Bashkinë e Matit deri në zgjedhjet e përgjithshme lokale të vitit 2027. Zv/kryetarja e Këshillit Bashkiak Anila Stafasani lexoi formulën e betimit për kryebashkiakun Bojni. Në fjalën e tij të parë si kryetar i Bashkisë së Matit, falenderoi të gjithë ata që e votuan dhe ekipin që e mbështeti në garën e 9 Nëntorit si dhe u shpreh se do ta kryejë me përkushtim detyrën në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallime politike etj. Të pranishëm në këtë ceremoni të marrjes së detyrës nga Kryebashkiaku i Matit, Altin Bojni ishin edhe deputetët e Partisë Socialiste të Qarkut Dibër, 3 kryetarët e bashkive Klos, Bulqizë e Dibër si dhe të ftuar të tjerë. Deputët Agron Malaj dhe Blendi Klosi uruan kryebashkiakun e ri të Matit si dhe deklaruan mbështetjen e tyre për të çuar përpara projektet zhvillimore. Edhe të pranishëm të tjerë uruan kryebashkiakun e ri Altin Bojni. PERSHENDETJA E KRYETARIT TE BASHKISE MAT ALTIN BOJNI Të nderuar qytetarë të Matit, Sot, duke bërë betimin para jush, mora me vete jo thjesht një detyrë institucionale, por një përgjegjësi të madhe njerëzore. Mora besimin tuaj. Dhe për këtë, ju falënderoj me zemër secilin prej jush. Ky moment nuk i përket vetëm Kryetarit të Bashkisë, i përket të gjithë qytetarëve të Matit. Është dita kur ne konfirmojmë se besojmë tek puna, tek përulësia, tek bashkimi dhe tek e ardhmja që ndërtohet me duart tona. Dua të falënderoj strukturat e Partisë Socialiste, ekipin tim, njerëzit që punuan ditë e natë me ndershmëri për çdo derë ku kemi trokitur dhe çdo shqetësim që kemi dëgjuar. Ju jeni arsyeja që sot jam këtu. Falenderoj gjithashtu Kryetarin e Partinë Socialiste, Kryeministrin Edi Rama dhe këtë forcë politike për mbështetjen dhe besimin e dhënë gjatë gjithë këtij rrugëtimi politik e njerëzor. Një falënderim i veçantë shkon për ish-kryebashkiakun Agron Malaj për standardin institucional që la pas, për projektet e rëndësishme që kanë ndryshuar Matin dhe për bashkëpunimin korrekt dhe njerëzor. Ne nuk nisim nga zero, ne vazhdojmë dhe forcojmë atë që ka funksionuar, dhe përmirësojmë gjithçka që ka nevojë për ndryshim e modernizim. Të nderuar qytetarë, Sot dua t’ju garantoj se: Bashkia do të jetë shtëpia e çdo qytetari të Matit. Pa dallime politike, pa përjashtime, pa asnjë vijë ndarjeje. Do të jem kryetari i çdo kryefamiljari që mban familjen në këmbë, i të rinjve që kërkojnë mundësi për të qëndruar e për të ndërtuar jetën këtu, i familjeve të zonave rurale që kanë nevojë për infrastrukturë të drejtë, i sipërmarrësve dhe biznesit të vogël që duan mbështetje, i diasporës që mban lidhjen e dashurisë me vendlindjen. Ndarjet i lëmë pas. Puna na bashkon. Si kryetar i Bashkisë Mat, unë zotohëm të punoj me transparencë, me vendimmarrje të drejtë dhe me prioritet absolut për interesin publik. Në mandatin tim, ne do të përqendrohemi në zhvillimin e infrastrukturës, kujdesin për zonat rurale, zgjërimin e shërbimeve publike, mbështetjen e sipërmarrjes, forcimin e sistemit arsimor e shëndetësor dhe krijimin e një mjedisi ku të rinjtë e zonës të shohin të ardhmen e tyre, jo larg, por në Mat. Unë nuk premtoj mrekulli apo gjëra të jashtëzakonshme, premtoj punë dhe përgjegjësi. Punë të ndershme, punë të vazhdueshme dhe punë me vizion afatgjatë. Premtoj që çdo vendim i kësaj bashkie do të jetë i menduar, i arsyetuar dhe në shërbim të komunitetit. Ky institucion do të ngrihet mbi vlera, jo mbi interesa; mbi transparencë, jo mbi burokraci; mbi bashkëpunim, jo mbi konflikt. Të dashur qytetarë të Matit, Sot nuk fillon rruga ime, fillon rruga jonë e përbashkët. Ne do të punojmë krah për krah, do të dëgjojmë njëri-tjetrin, do të mbështesim zonat që kanë më shumë nevojë dhe do të ngrihemi mbi çdo dallim që na ka ndarë në të shkuarën. Sepse vetëm kur jemi bashkë, Matit i hapet rruga e zhvillimit, punësimit dhe dinjitetit institucional. Ju falënderoj nga zemra për besimin, për përgjegjësinë që më keni dhënë dhe për shpresën që ndajmë së bashku. Me përulësi dhe vendosmëri, nis sot punën për të ndërtuar një Mat më të fortë, më të bashkuar dhe më të zhvilluar.