Menaxhimi i fatkeqësive natyrore, ekspertët: Duhet të funksionojë sigurimi i detyrueshëm

Menaxhimi i fatkeqësive natyrore, ekspertët: Duhet të funksionojë sigurimi i detyrueshëm

Sa herë që fatkeqësitë natyrore prekin vendin, qeveria ndërhyn me taksat dhe tatimet e qytetarëve për të ndihmuar familjet e prekura. Të enjten, kryeministri njoftoi se do të mbulojë dëmet për familjet e dëmtuara nga zjarret. Por a është kjo rruga e duhur për të menaxhuar dëmet e një fatkeqësie natyrore?

“Zgjidhja në të ardhmen nuk mund të jetë që shteti del dhe u komunikon qytetarëve që të mos shqetësohen, se do t’i ndihmojë ai. Duhet gjetur një zgjidhje afatgjatë, një formë apo një formulë që në thelb të ofrojë sigurimin e pronës nga fatkeqësitë dhe qytetari të përfitojë në rast dëmi” – tha Klodian Muço, ekspert ekonomie.

Sipas ekspertit Muço, nisma që po qarkullon për sigurimin me detyrim nga tërmeti duhet të jetë më gjithëpërfshirëse, për fatkeqësitë natyrore. “Herët apo vonë, ne duhet ta bëjmë një debat të tillë. Ashtu siç e kanë bërë shtete të tjera para nesh.”

Ndryshimet klimatike janë sfidat e reja me të cilat po përballen shumë vende. Banka Botërore ka evidentuar se nevojiten miliarda lekë investime për t’u paraprirë dëmeve të mundshme. “Një raport i Bankës Botërore evidentoi një vit më parë se Shqipëria duhet të investojë deri në vitin 2050, 6-8 miliardë euro për mbrojtjen, jo për dëmet. Shifra të tilla investimesh kërkojnë një ide të qartë të strategjisë që do të duhet të ndiqet” – sqaroi Muço.

Tërmeti tragjik i vitit 2019 pati një kosto rreth 1 miliard euro. Por sot, pesë vite më pas, dëmet nuk janë rikuperuar plotësisht nga buxheti i shtetit, ndërsa shumë familje janë ende në trajtim me bonus qiraje deri në përfundimin e disa lagjeve.