Më pak nxënës në shkollat e Qarkut Dibër edhe këtë vit
12,699 nxënës në të katër bashkitë e Qarkut Dibër kanë nisur vitin e ri shkollor të hënën e 8 Shtatorit. Numrin më të madh të nxënësve e ka bashkia Dibër 6,204, ndjekur nga Bulqiza me 2,887, Mati me 2,208 dhe Klosi me 1,400 nxënës.
Për herë të parë në bankat e shkollës janë ulur 980 nxënës në të gjithë Qarkun Dibër, duke bërë që numri të jetë më i vogëli i regjistruar ndonjëherë.
Ajo që vihet re edhe këtë vit shkollor është ulja e numrit të nxënësve. Në të gjitha shkollat e Bashkisë Mat vitin e kaluar u regjistruan në klasën e parë 166 fëmijë, ndërsa këtë vit 161 fëmijë. Në shkollat e Bashkisë Klos e kanë nisur këtë vit shkollor 100 nxënës nga 110 që ishin vitin e kaluar.
Po ashtu rënie ka edhe të numrit të përgjithshëm të nxënësve nga klasa e parë deri në klasën e 12. Vitin e kaluar ky numër ishte 2313 në Bashkinë Mat dhe 1500 në Bashkinë Klos, ndërsa këtë vit 2208 në Mat e 1400 në Klos.
Në Bashkinë Dibër ishin vitin e kaluar gjithsej 6.351 nxënës, ndërsa këtë vit 6.204 nxënës, pra 147 më pak. Edhe numri i nxënësve në Klasën e parë ka rënë ndjeshëm në 485.
E njëjta situatë paraqitet edhe në Bashkinë Bulqizë ku këtë vit shkollor e kanë nisur 2,887 nxënës dhe vetëm 234 prej tyre janë në klasën e parë.
Një tjetër problematikë që vihet re është edhe mësimi në klasa kolektive në shumë fshatra për shkak të uljes drastike të numrit të nxënësve.