Më në fund Bashkia Bulqizë gjen “zgjidhjen”, kthen trotuarin në “argjinaturë” mbrojtëse
Që prej nisjes së reshjeve të shiut në muajt e fundit të vitit të kaluar, rruga që lidh dy lagjet e qytetit të Bulqizës ka qenë e përmbytur. Jo vetëm rruga por edhe terminali i autobusëve dhe disa biznese në zonë.
Shkak për këtë bëhej tejmbushja e kanalit ujëmbledhës që nis nga Qafa e Buallit. Sasinë e ujit që grumbullohej nuk e përballonin tombinot e vendosura, duke bërë që uji më pas të vërshonte në terminal, rrugë e banesa.
Por pas shumë përpjekjesh, siduket Bashkia Bulqizë ka gjetur një zgjidhje. Në pamundësi për të rregulluar problemin me zgjerimin e kanalit apo veprave të artit të urat që e përcjellin ujin deri në Vajkal, ka ndërtuar një pritë në trotuarin e rrugës.
Dheu është shtrirë në të gjithë trotuarin në formën e një argjinature në mënyrë që nëse do të ketë reshje shiu e fryrje të kanalit ujëmbledhës, të mos bllokojë rrugën e makinave. Jashtë kameras qytetarët thanë se kjo është jashtë çdo standarti, pasi dheu i hedhur ka bllokuar gjithë trotuarin në të cilin lëvizin këmbësorët.
Prej më shumë se dy muajsh kjo zonë e Bulqizës përmbytet nga uji duke shkaktuar probleme në lëvizjen e lirë të qytetarëve, automjeteve por edhe dëm ekonomik tek bizneset.