Me 25 Prill periudha e ndalimit të gjuetisë së peshkut në liqenet Ulëz e Shkopet

0
130

Periudha në të cilën ndodhemi tani është periudhë e shtimit natyral të peshkut, ndaj dhe institucionet vendosin ndalimin e gjuetisë. Me urdhër të Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndalimi i gjuetisë në liqenet Ulëz e Shkopet për këtë vit do të nisë me datë 25 Prill.

Por ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit periudha e ndalimit të gjuetisë në çfarëdo lloj forme do të jetë për një periudhë 60 ditore. Nëse vitet e kaluara, në liqenin e Ulzës ndalimi i gjuetisë bëhej nga data 25 Prill deri me 25 Maj dhe në liqenin e Shkopetit nga 25 Maji deri me 25 Qershor, këtë vit periudha do të jetë e njëjtë për të dy basenet ujore.

Vendimi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e përcakton qartë ndalimin e gjuetisë me të gjitha mjetet për shkak se dëmtohet shtimi natyral i peshkut Krap në këto dy liqene. Gjithashtu urdhëri parashikon që vendbazimet e varkave do të jenë sipas përcaktimit të bërë nga Organizatat e Menaxhimit të Peshkimit.

Gjatë periudhës së ndalimit të gjuetisë, basenet ujore Ulëz e Shkopet do të monitorohen nga Drejtoria e Politikave dhe Programeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, OMP-t, Drejtoritë e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Policia e Rendit, policitë bashkiake e struktura të tjera vendore. Në rast se do të konstatohen raste të shkeljes së moratoriumit të periudhës së ndalimit të gjuetisë, gjuetarët qofshin ata me liçencë apo pa liçencë do të përballen me dispozitat ligjore në fuqi.