
Në shumë qarqe të vendit si në Korçë, Vlorë, Lezhë e Shkodër avokatët vijojnë të bojkotojnë seancat gjyqësore, madje përshkallëzimi i tyre ka qenë edhe me bojkotimin e mësave të sigurisë. Ndërkohë, në Qarkun Dibër protesta e avokatëve është ndërprerë që nga e Hëna, pasi Dhoma e Avokatisë Dibër nuk i është bashkuar degëve të tjera në të gjithë vendin. Implementimi i hartës së re gjyqësore do të bëjë të mundur që gjykata dhe prokuroria e Matit të mbyllen dhe të bashkohen me atë të Dibrës. Mbyllja e këtyre dy institucioneve do të jetë në dëmtë matjanëve të cilët do të duhet që të udhëtojnë drejt Peshkopisë për të gjitha problemet që do të duan të zgjidhin në sistemin e drejtësisë në shkallën e parë.
Por si të mos mjaftonte kjo, largimi i gjykatës së rrethit Gjyqësor Mat dhe Prokurorisë së këtij rrethit, do të pasohej edhe me largimin e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, pra burgun e Burrelit. Edhe kjo do të kishte një kosto për qytetarët pasi do të kishte më pak vende pune.
Për kthimin e burgut të Burrelit në një objekt muze është përfolur prej vitesh, ndërsa tashmë me largimin e gjykatës dhe prokurorisë do të jetë një arsye më shumë për ta bërë. Burime jo zyrtare, bëjnë me dije se po planifikohet një një institucion i tillë do të ndërtohet në lagjen Dobrovë të Peshkopisë. Gjithsesi kjo mbetet për tu parë në të ardhmen.