Është mbyllur procedura e tenderit për mirëmbajtjen e rrugës nacionale Ura e Matit – Rrëshen në të cilën janë edhe dy rrugë të tjera, ajo ura e Ulzës – Ulëz dhe Qaf Buall – Krastë me gjatësi totale prej 48,8 kilometrash.
Autoriteti Rrugor Shqiptar mbajti për një muaj hapur garën për tenderin e mirëmbajtjes së këtyre tre akseve rrugore ndërsa të hënën e 29 Korrikut është bërë edhe hapja e ofertave të cilat do të vlerësohen për të zgjedhur më të mirën.
Vlera e fondit për mirëmbajtjen e këtyre rrugëve është 1.66 milion euro dhe kontrata do të zgjasë për 48 muaj.
Ndërkohë, aksi më problematik vijon të mbetet ai Ura e Matit – Rrëshen, në të cilin nuk është investuar që kur ka përfunduar ndërtimi i tij në vitin 2014.
Prej dhjetë vitesh kjo rrugë nuk ishte në inventarin e asnjë institucioni, ndërsa vetëm pak muaj më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar e inventarizoi nëpërmjet Këshillit të Ministrave. Gjendja e rrugës është bërë me dhjetra herë problem nga drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonës të cilët kanë kërkuar me insistim që të investohet e të rehabilitohet.
Kjo rrugë, jo vetëm që shërben për të lidhur Matin me Mirditën, por edhe rrugën e Arbrit me atë të Kombit, si dhe është jetike për shumë fshatra të Bashkisë së Matit. Rikthimi në normalitet i këtij aksi rrugor pritet të lehtësojë ndjeshëm edhe qarkullimin e qindra automjeteve që e përdorin atë çdo ditë.