Është mbyllur këtë të mërkurë i gjithë procesi i numërimit të votave në qarkun Dibër edhe për preferencialet të cilat përcaktojnë deputetët në pjesën e hapur të listave të kandidatëve.
Pas numërimit të 222 kutive të votimit në rang qarku, kandidati i Partisë Socialiste Agron Malaj ka arritur të grumbullojë 12,616 vota, Murat Dani 7,691 vota dhe i treti është Danjel Gjura me 7,188 vota. Aktualisht kandidati Agron Malaj është më i votuari edhe në rang kombëtar, si ndër kandidatët socialistë më të preferuar. Edhe pse në shënjestër të vazhdueshme të sulmeve të opozitës, ish-kryebashkiaku i Matit Agron Malaj i ka ndryshuar pas tre dekadave fytyrën Matit, përmes investimeve të thithura me projektet e shumta të fituara.

Ndërkohë, në kampin blu më i votuari në Qarkun Dibër është kandidati Xhemal Gjunkshi me 5,693 vota. I dyti në listë është Përparim Spahiu me 5,505 vota dhe i treti Basir Çollaku me 4,599 vota.
Ndërkohë, vijon në Tiranë numërimi i votave të diasporës çka do të ndikojnë edhe në rezultatin e përgjithshëm të votave të partive, po ashtu edhe për kandidatët, megjithëse për këta të fundit nuk pritet të ketë surpriza pasi tashmë kandidati socialist Agron Malaj e ka të siguruar mandatin e tij. Gjithësesi, në qarkun Dibër janë numëruar 2745 nga 7495 zarfe të diasporës në total, ku kryeson PS me 1652 vota, ndjekur nga PD me 832 vota.
Emrat që do të shkojnë në parlament si deputetë të Qarkut Dibër nga këto zgjedhje janë Blendi Klosi, Alma Selami dhe Agron Malaj për Partinë Socialiste dhe Xhelal Mziu e Denisa Vata për Partinë Demokratike.