Ekipi i futbollit Burreli e ka mbyllur zyrtarisht merkaton e dimrit, dhe ka nisur përgatitjet për ndeshjen e parë të fazës së dytë. Matjanët kanë bërë ndryshime në çdo repart, duke përforcuar ato pika të cilat kanë qenë të dobta në fazën e parë. Trajneri i Burrelit, Alert Alcani tha se ka nisur punën për tu bërë gati për ndeshjen e parë të fazës së dytë e cila luhet këtë fundjavë kundër Tërbunit të Pukës. Alcani u shpreh se më shumë është prekur reparti i sulmit dhe ai i mbrojtjes ku janë afruar Daija e një lojtar Brazilian. Po ashtu, ndryshime janë bërë edhe në mbrojtje me Trokthin e marrë nga Erzeni e Alcanin. Po ashtu një tjetër Afrim është edhe Ardit Jaupaj. Me këtë kontigjent, numri një i pankinës matjane, Alert Alcani beson që do ta nisë fazën e dytë me këmbë të mbarë.
“Për aq ditë sa kemi patur në dispozicion, mendoj që merkatoja e Burrelit është mbyllur. Vetëm nëse në sekondat e fundit na afrohet ndonjë mundësi më e mirë në repartin e sulmit, ndonjë sulmues me përvojë. Gjatë këtyre ditëve jemi përgatitur për ndeshjen e datës 22 Janar me Tërbunin e Pukës. Gjendja e skuadrës duket e mirë. Kemi punuar me të gjitha repartet me intensitet. Mbeten për tu parë frytet e kësaj stërvitjeje në fundjavë, ku shpresoj ta nisim mbarë. Merkatoja ka përfshirë pothuajse të gjitha repartet që nga mbrojtja e deri tek sulmi. Besoj që kemi bërë zgjedhjet e duhura që presim tju marrim rezultat në garën e vërtetë që rinis këtë fundjavë – tha Alcani.
Të larguar nga Burreli në këtë merkato janë Henrik Bruka, Klejdis Branica, Rigers Xhahysa, Luiz Silva Paolo Junior dhe Brilant Hasaj, ndërsa të afruar: Kujtim Alcani, Florian Trokthi, Klaudio Mallunxa, Francesko Daija, Basha, dhe braziliani Alison Da Silva.