Mbyllen aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve
Kjo e martë ka shënuar ditën e fundit të mundësisë për të aplikuar në skemën kombëtare të Investimeve në Bujqësi. Thirrja qëndroi e hapur prej më shumë se një muaj e gjysmë, ndërsa të gjithë ata që dëshironin të aplikonin për të përfituar kishin 9 mundësi: Serra të reja diellore, Mbjellje të reja, Rrjeta antibreshër, Sistem ujitjeje me pika, Stalla blegtorale dhe stabilimente, Mekanizim bujqësor, Agropërpunim, Agroturizëm dhe panele fotovoltaike dhe Akuakulturë detare.
Por nga të dhënat e siguruara nga “Mat Televizion” pranë Zyrës së Ekstensionit Bujqësor në Mat, rezulton se gjatë kësaj periudhe ka patur vetëm tre aplikime dhe ato janë bërë për mbjellje të reja.
Duket se askush nuk është interesuar për të marrë pjesë në këtë thirrje të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e hapur nëpërmjet Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.
Edhe pse disa nga masat kanë qenë lehtësuese, ajo që ka stepur në pjesën më të madhe fermerët për të aplikuar është 50% i cili duhej të paguhej nga vetë ata dhe jo e gjithë shuma të financohej nga shteti.
Nuk dihet nëse do të ketë një fazë të dytë të kësaj skeme e cila edhe në rang kombëtar duket se ka tërhequr shumë pak të interesuar.