
Këshilli i Bashkisë së Matit ka zhvilluar këtë të Mërkurë mbledhjen e radhës të tij që me gjasë do të jetë e fundit për këtë sesion pasi muaji Gusht është muaj pushimesh. Në mbledhjen e sotme ishin parashikuar 6 pika në rendin e ditës, të cilat u shqyrtuan një e nga një.
Fillimisht këshilli miratoi projekt-vendimin për fondin 6% të ndihmës ekonomike për muajin Qershor 2022. Këshilltarët e votuan unanimisht këtë pikë pas relatimit të përfaqësuesve të zyrës së shërbimit social.
Në pikën e dytë të rendit të ditës këshilltarët u njohën me një ndryshim në buxhetin e këtij viti për arsye se Ministria e Arsimit ka financuar rikonstruksionin e dy shkollave në qytetin e Burrelit, atë 9-të vjeçare “Mustafa Gjestila” dhe gjimnazin “28 Nëntori”. Edhe kjo pikë mori votat e 13 këshilltarëve të pranishëm. Ndërkohë në pikën e radhës, këshilli u njoh me projekt-vendimin për tavanet përgatitore të shpenzimeve të programeve të buxhetit afatmesëm 2023 – 2025. Edhe kjo pikë u miratua në mbledhjen e sotme. Ndërkohë pikat pasardhëse që gjetën miratimin e këshillit bashkiak ishin hapje rruge automobilistike në lagjen “Çupi” Fshati Lis, dhe hapje rruge automobilistike lagjja “Myzë” fshati Zenisht.