Mblidhet Këshilli i Bashkisë Mat, miratohen disa pika në rendin e ditës
Këshilli bashkiak Mat është mbledhur këtë të premte në mbledhjen e radhës për muajin nëntor. Në rendin e ditës ishin parashikuar për tu diskutuar dhe miratuar 6 pika.
Këshilli e nisi mbledhjen me diskutimin e pikës së parë, atë të fondit 6% të ndihmës ekonomike për muajin Tetor. Pas relatimit të zyrës përkatëse këshilltarët miratuan unanimisht këtë pikë të rendit të ditës. Këshilli diskutoi dhe miratoi me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm edhe pikën e radhës mbi një ndryshim në buxhetin e vitit 2026. Këshilltarët votuan pro kësaj pike pasi dëgjuan sqarimin përkatës nga zyra e financës.
Më pas Këshilli diskutoi projekt-vendimin e paketës fiskale për vitin 2027 për Bashkinë e Matit. Kjo pikë mori edhe diskutimet më të gjata ku edhe pse nuk ka ndryshime nga paketa fiskale e këtij viti, këshilltarët e pranishëm kërkuan informacion në lidhje me nivelin e mbledhjes së të ardhurave vendore. Pas diskutimeve Këshilli e miratoi këtë pikë me 11 vota pro dhe dy abstenim.
Por nuk u miratua pika e radhës, për numrin e përgjithshëm të punonjësve të Bashkisë Mat për vitin 2027, pasi gjatë hedhjes në votim mori vetëm 10 vota pro dhe dy abstenime.
Në fund, Këshilli bashkiak Mat miratoi projekt-vendimin e nivelit të qerasë mesatare në treg të lirë sipas strukturave të apartamenteve.
Në mbledhjen e ardhshme, e cila pritet të thirret në fillim të muajit Dhjetor, Këshilli pritet të diskutojë edhe projekt-buxhetin për vitin e ardhshëm.