Mblidhet Këshilli Bashkiak Mat, miraton të gjitha pikat e rendit të ditës
Këshilli bashkiak Mat ka zhvilluar këtë të premte mbledhjen e radhës për muajin Shkurt, ku në rendin e ditës ishin parashikuar të shqyrtoheshin 6 pika. Pasi e miratoi në parim rendin e ditës, Këshilli nisi shqyrtimin e pikave një e nga një. Kështu, këshilltarët miratuan projekt-vendimin e fondit 6% të ndihmës ekonomike për muajin Janar, pas relatimit të zyrës së Shërbimit Social dhe Komisionit përkatës. Në pikën e radhës këshilltarët e pranishmë në këtë mbledhje diskutuan dhe miratuan projekt-vendimin e listës së 6 familjeve përfituese tek programi social "banesa me qera" Nj.Adm.Burrel. Në pikën e katërt, këshilltarët u njohën me projekt-vendimin e një shtese në buxhetin e vitit 2026. Drejtoria e Financës raportoi se këto fonde janë të trashëguara nga buxheti i vitit të kaluar. Pas diskutimeve edhe kjo pikë e rendit të ditës u miratua me shumicën e nevojshme të votave të anëtarëve të pranishëm në këtë mbledhje. Në pikën e pestë Këshilli miratoi Rregulloren e Brendshme për përcaktimin e strukturave përgjegjese dhe procedurave për matjen e raportimin e performancës në Bashki. Ndërsa në pikën e gjashtë, Këshilli u njoh me raportin e monitorimit të buxhetit të Bashkisë Mat për 12-mujorin e vitit 2025.