Këshilli i Bashkisë së Matit zhvilloi këtë të Mërkurë një mbledhje jashtë radhe ku në rendin e ditës ishin vetëm katër pika. Pika e parë e kësaj mbledhje ishte për një ndryshim në buxhetin e vitit 2021. Në projekt-vendimin e paraqitur nga Drejtoria Ekonomike, kërkohej rritja e zërit buxhetor me 2 milion lekë të rinj për mirëmbajtjen e kanaleve vaditëse.
Drejtori i Drejtorisë Ekonomike tha se kjo ka ardhur pas kërkesës së drejtorisë së bujqësisë e cila e ka argumentuar kërkesën e saj me dëmet e mëdha që shkaktuan shirat e këtij viti në veprat vaditëse. Pasi dëgjuan të gjitha sqarimet e nevojshme, kjo pikë në rendin e ditës u miratua me të gjitha votat e anëtarëve të pranishëm. Në pikat dy dhe tre këshilltarët miratuan hapjen e dy rrugëve, njëra në Njësinë Administrative Baz dhe tjetra në atë Lis.
Në pikën e katërt këshilli miratoi shpronësim toke për varreza në fshatin Urakë të Njësisë Administrative Rukaj.