Mbledhje jashtë radhe e Këshillit Bashkiak Mat

Mbledhje jashtë radhe e Këshillit Bashkiak Mat

Këshilli Bashkiak Matit është mbledhur këtë të premte në një mbledhje jashtë radhe me disa pika në rendin e ditës. Pas miratimit në parim të rendit të ditës, Këshilli nisi shqyrtimin e pikave një e nga një. Fillimisht këshilltarët e pranishëm në këtë mbledhje diskutuan projekt-vendimin e shumës së bashkëfinancimit për 57 familje përfituese të programit "Subvencion qiraje". Pas relatimit të drejtorisë së shërbimit social dhe diskutimeve, kjo pikë mori të gjitha votat e anëtarëve të pranishëm në këtë mbledhje. Projekt-vendimi i listës së familjeve aplikuese të programit të strehimit social "Përmirësimi i kushteve të banesës ekzistuese për komunitete të varfëra dhe të pafavorizuara”, mori shumë diskutime e debate. Para se ta miratonin këtë projekt-vendim, këshilltarët e pranishëm shtruan pyetje të ndryshme në lidhje me kriteret e përfituesve në mënyrë që të mos ketë pretendime për ata të cilët janë skualifikuar në këtë fazë. Ndërkohë, nga ana e Shërbimit Social u tha se ky projekt do të ketë edhe faza të tjera në të cilën qytetarët mund të aplikojnë apo riaplikojnë, gjithmonë duke u bazuar në krieteret e vendosura nga ministria e linjës. Në pikën e fundit të rendit të ditës, këshilltarët e pranishëm në këtë mbledhje diskutuan dhe miratuan projekt-vendimin e programit 5-vjeçar të strehimit social 2026 - 2031.