Mbingarkohet dogana e Bllatës, shkak bllokimi i rrugës Librazhd - Përrenjas
Duke qenë se ende vijon problemi i shembjes së rrugës Librazhd – Përrenjas, trafiku i automjeteve që lëvizin nga Tirana në drejtim të juglindjes vijon të bëhet nëpërmjet pikës së kalimit kufitar në Bllatë të Dibrës. Edhe këtë të hënë është konstuar një fluks i lartë lëvizjesh automjetesh duke nisur nga mjetet e vogla, të transportit publik e deri tek ato të transportit ndërkombëtarë të mallrave. Edhe pse në doganën e Bllatës janë shtuar 3 doganierë fluksi vijon të jetë i lartë dhe gati i papërballueshëm. Drejtuesit e automjeteve shprehen se vijojnë të qëndrojnë në radhë për shumë kohë për të kaluar në Maqedoninë e Veriut. E njëjta situatë paraqitet edhe në hyrje ku ka fluks të lartë në anën e palës maqedonase. Drejtuesit e mjeteve thonë se ky itinerar është stresant për ta, ndërsa kërkojnë rikthimin në normalitet të rrugës Librazhd – Përrenjas. Rikthimi i qarkullimit të juglindjes ka mbingarkuar edhe rrugën e Arbrit, pasi trafiku tashmë është trefishuar me automjetet e transportit ndërkombëtar dhe atij publik që vijnë nga Maqedonia e Veriut.