Mbeturinat shqetësim për zonën e Shkopetit

Mbeturinat shqetësim për zonën e Shkopetit

Zona e njohur si “Vabli” në Shkopet vijon të ndotet çdo ditë. Mbeturina të ndryshme hidhen pa kriter tek burimi i ujit që ndodhet ngjitur me rrugën nacionale. Siç duket nga pamjet, janë hedhur kryesisht bidona plastikë që nuk përdoren më për t’i mbushur me ujë.

I gjithë bregu i liqenit të Shkopetit në këtë zonë është i ndotur, ku prej kohësh hidhen mbeturina të ndryshme nga kalimtarët por edhe ata që shfrytëzojnë burimin për të mbushur ujë për konsum.

Edhe pse është ndërhyrë disa herë duke e pastruar zonën nga ndotja, kjo e fundit është rikthyer shumë shpejt për shkak edhe të papërgjegjshmërisë së qytetarëve që ndalojnë aty për të mbushur ujë apo për të pushuar.

As tabelat informuese për të mbajtur pastër mjedisin nuk kanë ndikuar në ndërgjegjen e shumë personave që ndotin mjedisin me mbeturina plastike, veshje tekstile apo objekte të orendive shtëpijake.

Ditët e fundit, mbeturinat janë hedhur në vendin ku ka qenë vendosur më parë një kontejner nga Bashkia e Matit, por që ende nuk dihet ku ka përfunduar; ka rënë në ujërat e liqenit të Shkopetit apo është vjedhur nga dikush për ta shfrytëzuar në mënyrë të padrejtë. Por ajo që dihet është se zona e njohur si “Vabli” në Shkopet vijon vazhdimisht të ndotet.