
Mbeturinat e konsumit të përditshëm vijojnë të jenë një fenomen shqetësues në vendin tonë. Me gjithë nismat e ndryshme sensibilizuese por edhe aksioneve të ndërmarra nga instancat qeveritare dhe ato lokale, situata mbetet problematike.
Zonat rurale janë ato të cilat janë më të prekurat nga ky fenomen, e për specialistët kjo ndodh për disa arsye. Terreni i vështirë për të menaxhuar shërbimin, mungesa e kontejnerëve si dhe vetë ndërgjegjësimi i pakët i popullatës e bën periferinë e zonave urbane më të ndoturën.
Këto pamje që shihni janë përgjatë rrugës së fshatit Pleshë në Bashkinë e Klosit deri në afërsi të fshatit Cerujë. Mbetjet e hedhura këtu janë nga më të ndryshmet që nga ato të përdorimit të përditshëm e deri tek mbetjet spitalore.
Nuk dihet nëse mbeturinat janë zbarkuar këtu nga banorë që jetojnë përgjatë kësaj rruge apo janë sjellë nga banorë të zonave të tjera që zbresin në qytetin e Klosit, por fakti tregon se gjendja është vërtetë shqetësuese.
Aksioni kombëtarë i nisur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, siduket deri tani ka dhënë efekt vetëm për rrugët nacionale dhe qendrat urbane, ndërsa në zonat rurale, situata vijon të mbetet shqetësuese.