“Mat tv”, media e paanshme në pasqyrimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Mat

“Mat tv”, media e paanshme në pasqyrimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Mat
Në zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 nëntorit në Bashkinë Mat, “Mat Televizion” dëshmoi edhe njëherë rolin e tij si një media e paanshme dhe profesionale në informimin e opinionit publik. Që në fazën e parë të procesit elektoral, televizioni lokal u angazhua për të siguruar transparencë dhe barazi mediatike për të tre kandidatët për kryetar bashkie. Secilit prej tyre iu bë thirrje për të paraqitur programin dhe profilin e tyre elektoral përpara teleshikuesve, në mënyrë që qytetarët të njiheshin më mirë me vizionin dhe prioritetet e secilit kandidat. Në studion e lajmeve të “Mat Televizion”, kandidatët u përballën me të njëjtat pyetje nga gazetarja Lindita Beqiri, të përgatitura për të zbërthyer programet e tyre elektorale, projektet për zhvillimin e Bashkisë dhe zgjidhjet e ofruara për nevojat e komunitetit. Gjatë gjithë kësaj periudhe, ekipi editorial ruajti standardet e profesionalizmit dhe objektivitetit, duke mos favorizuar asnjë forcë politike apo kandidat të caktuar. Edhe në ditën e votimit më 9 Nëntor, gazetarët dhe operatorët e “Mat Televizion” ndoqën nga afër procesin zgjedhor në të 47 qendrat e votimit, duke raportuar në kohë reale mbi pjesëmarrjen, mbarëvajtjen e tërë procesit. Gjithashtu të tre kandidatët që përkraheshin nga forca të ndryshme politike dhe grupimesh qytetare, u intervistuan gjatë procesit të votimit të tyre në mënyrë krejt të paanshme, duke reflektuar përkushtimin e medias lokale ndaj etikës profesionale. Së fundmi, “Mat Televizion” pasqyroi drejtpërdrejti edhe procesin e numërimit të votave në KZAZ Nr.16, duke siguruar një transparencë të plotë në kohë reale për publikun dhe duke përforcuar imazhin e tij si një media e besueshme, në shërbim të qytetarëve të Matit. Veçojmë se falë edhe sensiblizimit tonë mediatik për të ushtruar të drejtën e votës çdo qytetar me të drejtë zgjedhjeje, në bashkinë e Mat u shënua një pjesëmarrje më e madhe votuesish, në krahasim me 4 bashkitë e tjera ku u zhvilluan po të njëjtat zgjedhje. Me eksperiencën e 27 viteve pranë komunitetit matjan, “Mat Televizion” u premton teleshikuesve se do të vazhdojë të jetë zëri i paanshëm i tyre, duke ofruar informim të saktë, profesional dhe të balancuar jo vetëm gjatë fushatave elektorale por për çdo ngjarje që prek jetën publike dhe zhvillimin e rajonit të Matit.