303 maturant në Bashkinë e Matit do t’i rikthehen mësimit të hënën me 18 Maj. Maturantët do të nisin procesin e konsultimeve para se të hyjnë në provimet e Maturës Shtetërore, por do të jenë nën masa të rrepta të mbrojtjes nga Covid-19. Drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Mat, Shpresa Tusha, tha se maturantët do të kenë gjithçka në dispozicion për tu mbrojtur nga Covid-19, duke nisur nga maskat, dezinfektantët, personelin higjenosanitar, shërbimin psikologjik, efektiv të rendit publik, infermier e mjek në rast nevoje. Tusha ju bëri apel maturantëve që të shkojnë të gjithë pranë shkollave të tyre dhe të zbatojnë me përpikmëri rregullat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë. Nga ana tjetër, të 6 godinat arsimore në Bashkinë e Matit ku maturantët do të rinisin mësimin, do të pajisen edhe me termometër dixhital, i cili do të përdoret jo vetëm për maturantët që hyjnë në shkolla, por edhe stafin pedagogjik etj.