Rekamë

75-vjetori i Çlirimit të Atdheut është përkujtuar sot mes dhimbjes së madhe të shkaktuar nga tragjedia e shkaktuar nga tërmeti i 26 Nëntorit ku humbën jetën rreth 50 persona. Në ceremoninë zyrtare të 29 nëntorit në nderim të të rënëve në luftën për liri, pranë varrezave të dëshmorëve në Mat, morën pjesë veteranë e pasardhës të veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, pjesëtarë e të afërm të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës drejtues të pushtetit vendor, të institucioneve qëndrore në nivel vendor, të medias së shkruar dhe asaj vizive, intelektualë e qytetar të shumtë nga Mati e Klosi. Kryetari i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it Mat, Sefer Duka, mbajti fjalën e rastit.

Më pas të pranishmit vendosën kurora me lule pranë lapidarit dhe varreve të dëshmorëve në emër të Organizatës së veteranëve të LANÇ-it, të Organizatës së Familjeve të dëshmorëve, të bashkisë Mat, të nënprefekturës Mat, të Repartit Ushtarak, etj.

Nga ana tjetër Bashkia Mat ishte përkujdesur si kurrë më parë jo vetëm të dekoronte mjedisin e varrezave të dëshmorëve të Atdheut me ngjyrat e flamurit, me parrulla dhe me simbolin e 75-vjetorit të Çlirimit të atdheut, por edhe ta kuronte këtë vend-altar me mbjellje pemësh dekorative e sistemim të rrugës.