Nëse do të shihni një pamje të tillë gjatë rrugëtimit në luginën e Matit, mos dyshoni se plantacionet janë të mbjella me grurë. Prej vitesh fushat e mbjella me grurë kanë një prani të shtuar të lulëkuqes në të. Veç faktit të një pamjeje shumë të bukur të saj, prania e lulëkuqes në fushat me grurë ka edhe pasoja. Specialistët e Bujqësisë thonë se prania e lulëkuqes në parcelat me grurë ndikon në rendimentin e prodhimit, pasi merr ushqimin e grurit dhe pengon rrezet e diellit. Një fenomen i ngjashëm ishte edhe vitin e kaluar ku fermerët u ankuan për praninë e madhe të lulëkuqes në të mbjellat e tyre me grurë. Por duke ndjekur këshillën e specialistëve me mënyrën më të mirë të luftimit të saj, atë tradicionale duke ndërruar kultivimin e kulturave të ndryshme në të njëjtin vend, sipërfaqja e mbjellë me grurë në luginën e Matit këtë vit është më e vogël.