MAT / FESTIVALI I 9-TË KOMBËTAR “MUZA POETIKE BUDIANE”

MAT / FESTIVALI I 9-TË KOMBËTAR “MUZA POETIKE BUDIANE”

27 shtatori shënoi një ngjarje të rëndësishme kulturore për Matin, pasi u shndërrua për të 9-tën herë radhazi në qendrën kombëtare të poezisë. Klubi letrar “Pjetër Budi”, Mat, me kryetar poetin dhe publicistin Hamdi Hysuka, mbajti Festivalin e 9-të gjithëkombëtar “Muza Poetike Budiane”.

Festivali, i cili u moderua nga anëtarët e kryesisë së Klubit letrar matjan Fatmir Neli dhe Lindita Doda, u hap me promovimin e tre librave të rinj: Monografia “Mjeshtri i eshtrave metalike”, me autore shkrimtaren e njohur matjane Lindita Doda; Antologjia “Lulëkuqet e Globit”, botim i Bashkimit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Zëri i Mërgimtarit” me qendër në Novara, Itali; Vëllimi me poezi “Këtu lindin dashuritë”, i autorit të ri vlonjat Shon Malaj.

Ky festival poetik mbarëkombëtar u mbajt falë mbështetjes së deputetit të Qarkut Dibër Agron Malaj, kryetares e Bashkisë Klos Valbona Kola; të dashamirësit të artit e letërsisë Andi Basha; si dhe falë kontributit modest të Anëtarësisë së Klubit letrar matjan. Për këtë Kryesia e klubit letrar matjan nderoi me çmimin “Anëtar Nderi” deputetin Agron Malaj, Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës Shyqri Galica; dhe Mjeshtrin e Madh Faik Xhani.

Merrnin pjesë në këtë konkurim poetik me poezitë e tyre të larmishme rreth 50 poetë jo vetëm nga e tërë Shqipëria, por dhe nga Kosova, trojet shqiptare jashtë kufinjve e nga Diaspora, si dhe të ftuar, artistë, përfaqësues të arsimit e kulturës, të medias, e dashamirës të poezisë etj,

Në fund, Juria e festivalit me kryetar Bajram Canameti, dhe anëtarë Ervisa Ndoka (Ruka) dhe Elona Basha, ndau çmimet për poezitë fituese. Çmimin letrar “Pjetër Budi 2025” e fitoi mësuesi, poeti dhe gazetari i “Mat Televizion” Fatmir Neli, ndërsa çmimin “Hamit Aliaj” poetesha Arbnesha Kelmendi. Çmimi i Karierës iu dha poetit Fatmir Gjestila, ndërsa me Çmim të Parë u vlerësua poezia “Prag Vjeshte” e poetes Emi Krosi.