Mat, banorët e fshatit Rremull kontribuojnë në rikonstruksionin e xhamisë
Banorë të fshatit Rremull në Bashkinë e Matit janë bërë bashkë për një vepër humane, rikthimin në funksion të xhamisë së fshatit, e ndërtuar rreth 1 shekull e gjysmë më parë. Të rinj që janë në emigrim, por edhe ata që jetojnë në Tiranë apo qytete të tjera të Shqipërisë si dhe banorët që jetojnë në Rremull kanë kontribuar në rikonstruksionin e plotë të këtij objekti kulti. Një nga iniciatorët e këtij rikonstruksioni, Bajram Canameti thotë se ishte detyrim moral ndaj paraardhësve për ta rikthyer këtë xhami në gjendje normale për tu përdorur nga besimtarët në ditët e sotme. Kontributi i banorëve ka qenë që nga vlera më e vogël monetare, puna vullnetare, e deri tek vlera të mëdha në lekë. Bajram Canameti shprehet se fshati po synon që namazin e ditës së premte të festës së Fitër Bajramit, ta falin në xhaminë e rikostruktuar. Përmes kontributit të përbashkët, xhamia e Rremullit jo vetëm që po rikthehet në funksion, por edhe po shndërrohet në një simbol të unitetit dhe përkushtimit ndërbreznor. Nëse gjithçka përmbyllet sipas planit, falja e namazit të Fitër Bajramit në këtë ambient të restauruar do të jetë edhe një moment i veçantë krenarie për gjithë komunitetin e Rremullit, kudo që ndodhet.