Rekamë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat dhe strukturat hetimore të krimeve në volum në DVP Dibër, kanë vijuar kontrollet në çdo skaj të qarkut, kundër kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat, është finalizuar faza e gjashtë e operacionit policor antikanabis të koduar “Kreshta të pastra”, në kuadër të së cilës u goditën 2 raste të tjera të kësaj veprimtarie kriminale.

Në fshatin Stojan, Policia asgjësoi nëpërmjet djegies, 176 bimë narkotike cannabis sativa. Sipas policisë, u identifikuan dhe u arrestuan autorët e dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve, shtetasit V. S. dhe P.S. (vëllezër), të dy banues në fshatin Stojan. Ndërsa në fshatin Lundre, njësia administrative Stojan, Policia asgjësoi nëpërmjet djegies, 165 bimë të tjera narkotike cannabis sativa. Gjithashtu, u identifikua dhe u arrestua autori i dyshuar i kultivimit të këtyre bimëve, shtetasi J. Gj, banues në fshatin Kokërdhok.

Policia ka referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit Gj. B., 31 vjeç, kryetari i fshatit Stojan dhe M. D., 63 vjeç, inspektor i shërbimit pyjor në këtë zonë.

Gjatë të gjitha fazave të këtij operacioni, janë asgjësuar 1801 bimë narkotike cannabis sativa, janë arrestuar 6 autorë të kultivimit të këtyre bimëve, janë shpallur në kërkim 3 të tjerë, si dhe janë proceduar penalisht 4 shtetas, mes tyre kryetarë fshatrash dhe inspektor të shërbimit pyjor.