Masivi i djegur vitin e kaluar, Bashkia Klos projekt për ripyllëzim

Masivi i djegur vitin e kaluar, Bashkia Klos projekt për ripyllëzim

Një nga zonat më të dëmtuara nga zjarrëet e vitit të kaluar ishte masivi me pishë të zezë në fshatin Plan i Bardhë të Bashkisë Klos në afërsi të Qafës së Buallit. Vatra e zjarrit e aktivizuar në muajin Korrik bëri që e gjithë sipërfaqja me pishë të zezë në këtë zonë të shkrumbohej nga flakët. Ndërkohë, nga banorët e zonës u aludua në atë kohë që zjarri të kishte qenë i qëllimshëm për ndërtimin e një parku fotovoltaik. Por ky pretendim u hodh poshtë nga pushteti vendor në Klos i cili gjatë këtyre muajve ka hartuar një projekt për ripyllëzimin e kësaj zone të djegur. Drejtues të drejtorisë së Shërbimit Pyjor në Bashkinë Klos thanë se është bërë projekti për ripyllëzimin e kësaj zone e cila do të rikthehet ashtu siç ka qenë. Ndërkohë, pritet që projekti të miratohet dhe të nisë puna për mbjelljen e findanëve të rinj. Po ashtu, pemët e djegura do të largohen nga bashkia dhe do të përdoren për nevojat e saj. Ende nuk dihet nëse kjo do të ndodhë gjatë muajit Mars pasi është muaji i fundit në të cilin mund të bëhen mbjellje të tilla pa nisur i nxehti i pranverës, megjithatë mbetet për tu parë në ditët në vijim. Kurora me pishë të zezë në fshatin Plan i Bardhë të Bashkisë Klos është dëmi më i madh ekonomike natyror i shkaktuar nga zjarret në këtë bashki gjatë vitit 2025, pasi u dogjën me qindra rrënjë pishë e zezë e cila kërkon dekada të shkojë në lartësinë e tanishme.