Masakra për inertet në lumin Mat, 90% e firmave punojnë në të zezë

0
8

Shtrati i lumit Mat është kthyer në “parajsën” e firmave të inerteve. 40 firma ushtrojnë aktivitetin në të zezë dhe pa leje shfrytëzimi. Si pasojë e kësaj babëzie, Ura e famshme e Zogut, Monument Kulture i Kategorisë së I-rë, është dëmtuar rëndë dhe rrezikon të marrë me vete edhe bazamentin e rrugës.

Autor: Sokol ÇOBO

Tre ekskavatorë po gërmojnë prej disa javësh në afërsi të Urës së Zogut, në Milot.  Ura, e shpallur Monument Kulture i Kategorisë së I-rë dhe e mbrojtur nga shteti, ka filluar të shkatërrohet. Njëra prej këmbëve është zhveshur krejtësisht dhe ka pësuar ulje, duke marrë me vete edhe trupin e urës shekullore. Ekskavatorët po mundohen që të ruajnë pjesën e dëmtuar, duke ndryshuar rrjedhën e lumit Mat.

Ndërhyrja po kryhet pas alarmit të dhënë në janar të këtij viti nga Prefektura e qarkut Lezhë, e cila konstatoi se dëmtimi i urës ishte aq masiv, sa rrezikonte të merrte me vete edhe bazamentin e rrugës.

“U evidentua gërryeje dhe shembje e paneleve deri afër bazamentit të rrugës, në një distancë deri në 1 metër në afërsi të saj. Situata paraqitet emergjente, pasi gërryeja kërcënon seriozisht shembjen e bazamentit të rrugës”, – thuhet në një raport inspektimi të Prefekturës Lezhë, që mban datën 25 janar 2021. Për të shmangur më të keqen, u sugjerua hapja e një kanali qendror në mes të aksit të lumit për devijimin e prurjeve.

Por, ndërsa ka nisur puna për të shpëtuar urën e famshme, që rrezikon të fundoset, ekspertët e lidhin rrezikun që i kanoset kësaj ure, me mënyrën se si po shfrytëzohet baseni lumor i Matit. “Erozioni dhe marrja e inerteve në afërsi të këtij monumenti po e shkatërron. Shteti nuk ka vënë dorë. Deri tani është mbrojtur vetëm me letra”, – i shpjegon Investigative Network Albania-s inxhinieri Xhevahir Ngjeqari. Për të përgjegjësia është e dyfishtë; e pushtetit lokal dhe qendror.

E konsideruar një xhevahir i rrallë i trashëgimisë sonë kombëtare, ajo është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së I-rë në vitin 1999.

“Kjo urë madhështore u inaugurua më 26 maj të vitit 1927. Me një gjatësi prej 480 metrash dhe me 5 harqe, kjo urë cilësohet si një nga veprat e para inxhinierike, moderne të shekullit XX.

Kur u ndërtua, nuk kishte simotra në Ballkan dhe, përveç gjatësisë së konsiderueshme, veçantia e saj lidhet kryesisht me strukturën arkitekturore, stilin e harqeve dhe lokalitetin mjaft piktoresk në të cilin ndodhet”, – shpjegon Gjovalin Zefi.

Prej 30 vitesh shtrati i lumit Mat ka rënë pre e babëzisë për inerte. Si pasojë e shfrytëzimit pa asnjë kriter, madje edhe në zona të ndaluara, siç janë ato në afërsi të urave, nga shtrati i këtij lumi janë larguar përfundimisht miliona tonë inerte.

Për të kuptuar masakrën që është bërë mbi lumenjtë, ekspertët thonë se mjafton t’iu referohemi shifrave. Më konkretisht, studimet tregojnë se, nëse në vitet `90 rrjeti lumor dërgonte në det 60-80 milionë tonë inerte, aktualisht ata dërgojnë rreth 10 herë më pak. Pasojat janë alarmante. Për shkak të zbrazjes së shtratit dhe mungesës së inerteve ky lumë, jo vetëm shkakton përmbytje në të gjithë zonën, por është kthyer në kërcënim edhe për veprat e artit.

Pikë grumbullimi inertesh në lumin Mat

Pushteti lokal në Lezhë është vënë në alarm prej vitesh dhe i ka kërkuar Ministrisë së Kulturës, e cila është edhe “pronarja” me letra e këtij monumenti të rrallë, që të ndërhyjë. I zhgënjyer, Paulin Zefi, ish-drejtor i Monumenteve Kulturore në Bashkinë e Lezhës, aktualisht përgjegjës i Muzeut Etnografik dhe i Memorialit të varrit të Skënderbeut, shpjegon se, pavarësisht insistimit, kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër prej dekadash. “Kam 7 vjet që kërkoj të mirëmbahet ky objekt. Përgjatë këtyre 21 viteve, pasi u shpall monument kulture, Ministria e Kulturës nuk ka bërë asnjë ndërhyrje”, – sqaron ai, teksa “fajin” ia atribuon shfrytëzimit të inerteve në lumin Mat.

Babëzia për inerte, dhjetëra firma në të zezë

Thuajse 90% e firmave që punojnë për nxjerrjen dhe përpunimin e materialeve të ndërtimit përgjatë shtratit të lumit Mat, janë pa leje ose krejtësisht në të zezë, si dhe në kundërshtim me rregullat e shfrytëzimit teknik.

Dhe gjithçka në syrin e të gjithëve.

Gjokë Jaku, prefekti i Lezhës, thotë se nga fshati Skuraj deri në grykëderdhjen e këtij lumi në detin Adriatik, nga 40 firma që shfrytëzojnë lumin për inerte, ato që kanë leje, janë më pak se gishtat e njërës dorë.

“Vetëm 3 ose 4 janë me leje. 18 subjekte veprojnë pa leje, pasi iu është revokuar leja e shfrytëzimit. Dhjetëra të tjera janë në të zezë. Punojnë ditë e natë dhe askush nuk mban përgjegjësi”, – i shpjegon Jaku Investigative Network Albania-s.

Prefektura e Lezhës ka vënë alarmin prej kohësh për situatën në këtë basen ujor, por ajo vetë nuk ka kompetencë për të ndërhyrë. Në këtë situatë, kur i ka duart e lidhura, prefektura iu ka kërkuar që në fund të vitit që lamë pas institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë në mënyrë urgjente.

“Masakra mjedisore ndaj këtij baseni vazhdon të jetë e pranishme dhe nuk ka ndaluar për asnjë moment”, – thuhet në një dokument të datës 28 dhjetor 2020, ku prefekti i Lezhës, Gjokë Jaku, i “tërheq” vëmendjen Ministrisë së Mjedisit, Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, SHÇBA-së, Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Ministrisë së Brendshme.

Shkresa e Prefektit te Lezhes, date 28 dhjetor 2020

Shkresa e prefektit të qarkut Lezhë, Gjokë Jaku, drejtuar disa institucioneve

“Shfrytëzimi i paligjshëm i inerteve nga subjekte pa leje ushtrohet hapur, pa u shqetësuar nga askush. Deri më sot nuk jemi informuar nga institucionet përgjegjëse për verifikimin e subjekteve pa leje që shfrytëzojnë inertet, që të jenë gjobitur apo ndëshkuar për gjithë këtë krim mjedisor përgjatë lumit Mat”, – vijon letra e Gjokë Jakut, drejtuar këtyre institucioneve.

Madje, bashkangjitur kësaj shkrese, janë edhe disa fotografi nga një inspektim i prefekturës në rrjedhën e këtij lumi.

Autoritetet: Vetëm 3 kompani me leje shfrytëzimi

Nga një vëzhgim i thjeshtë, duke kaluar te mbikalimi Milot-Skuraj apo tek ura e re, Shën Koll, në drejtim të zonës së mbrojtur, Laguna e Patokut, janë me dhjetëra pika që shesin inerte.

Ato kanë formësuar “male” me inerte, të nxjerra nga lumi Mat, teksa aktualisht shumica e këtyre firmave po e përdorin materialin e nxjerrë për shitje.

“Në territorin e basenit ujor Mat rezultojnë të disponojnë leje për shfrytëzimin e materialeve inerte 3 subjekte”, – i shpjegon INA Media-s Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe Zyra e Administrimit të Basenit Ujor Ishëm-Erzen-Mat.

Tabela e lejeve aktuale

Lejet aktuale, sipas AMBU, të shfrytëzimit të inerteve në lumin Mat

Sipas AMBU, aktualisht ka leje shfrytëzimi kompania Salillari, me objekt shfrytëzim të materialeve inerte për realizimin e kontratës “Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morinë”, sipas marrëveshjes koncesionare.

Leja është dhënë në njësitë administrative Rubik dhe Milot.

Gjithashtu, edhe kompanitë BARDH KONSTRUKSION dhe A.N.K. CONSTRUCTION kanë leje me objekt shfrytëzim të materialeve inerte për realizimin e kontratës “Projektim-Ndërtim-Mirëmbajtje e segmentit rrugor Milot-Balldren”. Këto leje janë dhënë në njësinë administrative Zejmen dhe në njësinë Shën Koll.

Për ironi, ndërsa Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore deklaron se vetëm 3 subjekte kanë leje, prefektura e Lezhës ka kohë që ka dhënë alarmin për dhjetëra firma që punojnë pa leje ose në të zezë.

“Siç duket qartë, janë mbi 30 subjekte që shfrytëzojnë inertet e shtratit të lumit Mat”, – thuhet në dokumentin e datës 28 dhjetor 2020, që prefekti iu dërgoi institucioneve.

Por, 5 muaj më pas, gjërat duket se janë përkeqësuar dhe oreksi i firmave që shfrytëzojnë pa asnjë leje inertet në këtë shtrat lumor, ka ardhur duke u rritur.

“Aktualisht janë rreth 40. Punojnë ditën dhe natën dhe askush nuk i ndalon”, – pohon ai, teksa shton se duhet një koordinim i institucioneve për ta ndalur këtë masakër.

Nga ana tjetër, AMBU mjaftohet me sqarimin se ka pasur revokime lejesh, por “revokimet e lejeve për shfrytëzim të materialeve inerte në basenin e lumit Mat i përkasin vitit 2018”.