Rekamë

Banorët e fshatit Burim në Maqellarë të Dibrës ankohen për mungesën e investimeve në këto 30 vite demokraci. Fshatit i cili ndodhet ngjitur me rrugën nacionale dhe shumë pranë doganës së Bllatës, i mungon uji i pijshëm e ai vaditës. Banorët shprehen se veprat e ndërtuara para viteve 90-të u shkatërruan dhe asnjëra prej tyre nuk funksionon më. Tokat bujqësore të këtij fshati kanë mbetur djerr pasi mungon uji vaditës që dikur merrej nga Bllaca. 23 vite më parë u ndërtua një rrjet i furnizimit me ujë të pijshëm, por banorët shprehen se ai funksionoi vetëm 3 muaj, ndërsa sot të gjithë kanë hapur puse ku dhe konsumojnë ujin të pakontrolluar.

Por ndryshe është situata për anëtarin e pleqësisë së këtij fshati. Maliq Piku shprehet se problemet që ngrejnë banorët nuk qëndrojnë. Sipas tij, nevojat e fshatit mbulohen edhe me ujë vaditës edhe me ujë të pijshëm të cilin e sigurojnë nga puset.

Ndërkohë banorët tregojnë se fshati është përgjysmuar pasi rreth 120 familje janë larguar nga aty në këto 30 vite.