
Megjithëse është bërë zhurmë mediatike vendosja e anëtenave të shpërndarjes së valëve të telefonisë së lëvizshme në minaren e xhamisë së Maqellarës, situata mbetet e njëjtë. Banorët vijojnë me të drejtë të jenë të shqetësuar pasi xhamia ndodhet në qendër të fshatit dhe ka frekuentim të shumtë edhe nga besimtarët. Shaban Istrefi një prej banorëve të këtij fshati thotë se autoritetet duhet të kishin reaguar prej kohësh dhe anëtenat e shpërndarjes së valëve të telefonisë celulare duhej të ishin hequr. Rrezatimi që ata lëshojnë por edhe mundësia e tërheqjes së shkarkimeve elektrike në kohë me shi, bën që jeta e banorëve të jetë në rrezik.
Përdorimi i minareve të xhamive për shpërndarjen e valëve të telefonisë apo internetit po ndodh rëndomtë në vendin tonë, ndërsa autoritetet nuk marrin masat e nevojshme për të detyruar kompanitë që të mos i vendosin në këto objekte.