Tre të rinj në Bulqizë kundërshtojnë me forcë dhe godasin punonjësit e Policisë Rrugore, duke bërë që drejtuesi i mjetit të vihet në pranga, ndërsa dy pasagjerët të shpallen në kërkim.
Shërbimet e Njësisë Operacionale të Drejtorisë së Policisë Rugore, pranë mbikalimit në Qytetin e Bulqizës, kanë konstatuar dhe ndaluar një automjet “Benz”, pasi u konstatua se kryente manovra gjatë lëvizjes.
Gjatë procesit të verifikimit, punonjësit e policisë hasën në rezistencën e drejtuesit të mjetit dhe të pasagjerëve që ndodheshin në këtë mjet, për të mos kryer testin e alkoolit drejtuesi i mjetit. Të tre shtetasit në bashkëpunim me njëri tjetrin kundërshtuan me forcë punonjësit e policisë duke ju shkaktuar dëmtime fizike dy prej punonjësve të policisë.
Shërbimet e policisë kanë mundur të vënë në pranga drejtuesin e mjetit, shtetasin I. L., 30 vjeç, banues në Bulqizë, i cili duke drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit, ka kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë duke mos i lejuar të kryenin testin e alkoolit dhe të mos shoqërohej në komisariat.
Ndërsa dy pasagjerët kanë mundur të largohen por janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dhe konkretisht A. S., 22 vjeç dhe A. D. 30 vjeç, banues në Bulqizë, të cilët kanë goditur punonjësit e policisë duke u shkaktuar dëmtime trupore, me qëllim që mos shoqërohej në Komisariat drejtuesi i automjetit.
Lidhur me këtë ngjarje hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi me forcë i punonjësit të policisë”, dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.