Rekamë

  Mali i Murrizit, në Njësisë Administrative Xibër të bashkisë Klos, po kërcënohet vazhdimisht nga prerja e paligjshme e lëndës drusore. Policia e Dibrës njofton se ditët e fundit ka proceduar penalisht një 36-vjeçar nga fshati Zallë Bastar i Tiranës, pasi është konstatuar duke prerë lëndë drusore në kundërshtim me ligjin në masivin pyjor të fshatit Murrize, në Xibër.

Isnpektorët e Shërbimit Pyjor pranë Bashkisë Klos dhe efektivët e policisë kanë sekuestruar lëndën drusore dhe automjetin me të cilin 36-vjeçari me inicialet A.C po i transportonte. Lënda drusore dyshohet se do të përdorej për mobilie apo objekte të tjera.

Banorë të fshatit Xibër – Murrize thanë jashtë kameras se që me hapjen e bajpasit të rrugës së Arbrit tentativa e prerjes së lëndës drusore të llojit ah, por edhe pishë, është shtuar. Sipas tyre, persona të papërgjegjshëm, kryesisht nga fshatrat e Tiranës, shfrytëzojnë rrugën e asfaltuar për tu futur në masivin pyjor të Xibrit, një pjesë e së cilit është edhe zonë e mbrojtur.

Nga ana tjetër, strukturat vendore të mbrojtjes së pyjeve në Bashkinë e Klosit kërkojnë bashkëpunimin e qytetarëve për të parandaluar prerjet e paligjshme në këtë masiv pyjor. Kjo, pasi sipas tyre, me gjithë kontrollet e inspektorëve, është e pamundur që të evidentohet çdo rast i prerjes në kundërshtim me ligjin të drunjve të ahut apo pishës së zezë që ndodhen në këtë masiv pyjor.