Rekamë

  Edhe të mbjellat me grurë në zonën e Dibrës janë pushtuar nga lulëkuqja. Fushat me grurë kanë marrë ngjyrën e kuqe për shkak të prezencës së madhe të kësaj bime e cila zakonisht del në këtë kulturë bujqësore. Fenomeni tashmë është i përhapur kudo, ndërsa kultivuesit e grurit mendojnë se problemi është tek farërat të cilat vijnë bashkë me lulëkuqen. Avdul Sula nga fshati Pjeçë i Dibrës thotë se shkaku kryesor i prezencë së lulkuqes është fara, ndërsa kërkon që agronomët e pushtetit vendor të bëjnë këshillime me kultivuesit e grurit. Sipas Avdul Sulës, prania e madhe e lulkuqes në grurë, ndikon në uljen e rendimentit të prodhimit. Për këtë arsye, ai kërkon ndërhyrjen e institucioneve pasi kultivuesit nuk po marrin sasinë e nevojshme të prodhimit.

Nga ana tjetër agronomët këshillojnë kultivuesit e grurit që të ndryshojnë parcelat çdo vit pasi në këtë mënyrë mund të arrihet në zhdukjen e lulkuqes në të mbjellat me grurë.