Lindja e parë në maternitetin e Burrelit është vajzë
Stafi i maternitetit të spitalit Bashkiak Mat ka pritur lindjen e parë për këtë vit. Pas shumë kohësh në këtë maternitet janë rikthyer lindjet e bebeve pasi më parë kishte mungesa të mjekëve specialistë.
Mjekja obstetërgjinekologe dhe mjekët specialist të fushës pritën lindjen e bebes së parë, vajzë, në ambjentet e maternitetit të spitalit të Burrelit. Sipas bluzave të bardha maternitetit të spitalit Bashkiak Mat, bebja që prindërit e kishin pagëzuar me emrin Isabela, u soll në jetë me metodën cezariane për të ruajtur shëndetin e plotë të nënës.
Rrikthimi i shërbimit obstetërgjinekologjik në spitalin Bashkiak Mat është bërë gjatë muajit të fundit të vitit të kaluar, ku mjekja specialiste Lejda Lleshi do të jetë pranë maternietit për të ndjekur të gjitha shtatzanitë e nënave në Mat dhe për të pritur lindjet e fëmijëve.
Kujtojmë se prej vitesh spitali Bashkiak Mat ka qenë në një handikap sa i përket shërbimeve të specialistëve të maternitetit, pasi kishte shumë mungesa mjekësh, mes të cilëve edhe të mjekut obstetër.
Nënat matjane shpresojnë të mos detyrohen më t’i drejtohen spitaleve rajonale të Dibrës, Lezhës apo Tiranës, për të sjellë në jetë fëmijët e tyre, por t’i bëjnë lindjet në maternitetin e spitalit të Burrelit.