
Gjithnjë e më shumë krijues të rinj matjanë po trokasin në botën e magjishme të letrave. Këtë herë në rubrikën “Libra të rinj matjanë” ju prezantojmë librin e parë me poezi të 33-vjeçarit Lulzim Cuka, të titulluar “Tingujt e heshtur”. Që në parathënie, redaktori i librit, Hamdi Hysuka, shkruan se poeti i ri matjan Lulzim Cuka i beson dashurisë dhe i përkushtohet varg pas vargu asaj në poezitë e tij.
Për rrjedhojë, individualiteti dhe bota poetike e Lulzimit, e pasqyruar në këtë përmbledhje me poezi rinore të pastër e të bukur dashurie, flet për një poet me të ardhme.
Nëpërmjet vargëzimit të thjeshtë e të ëmbël përshkrues, Lulzimi ka renditur në tingujt e heshtur, lirikën e dashurisë duke e gërshetuar me cilësitë më njerëzore, me lirinë e individit.
Secila poezi në librin “Tingujt e heshtur” është në tërësi lirike, e që të fut në një botë magjepëse. Autori shkruan me vargje të lira, grupuar në strofa me shumë vargje, ku nuk mungon krahasimi, epiteti, enumeracioni, inversioni, anafora, metafora, pyetja retorike, metonimia, hiperbola, reticensa dhe përsëritja. Nëse nuk i përdor me vlerën që ato kanë, poet nuk mund të bëhesh.
Parë në tërësi, me vargjet e lira dhe fjalët e thjeshta, me gjuhën e pasur dhe përmbajtjen e figurshme, 99 poezitë e këtij vëllimi të parë të Lulzim Cukës me siguri do ta tërheqin dhe emocionojnë lexuesin e tij.
Lulzim Cuka u lind në vitin 1989 në Macukull të Matit. I diplomuar Master i shkencave Histori dhe më pas në Master i Shkencave në Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në BE ka dhënë kontributin e tij fillimisht si specialist i Marrëdhënieve dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Ministrinë e Kulturës. Ndërsa aktualisht merret me studime shkencore, të tilla si “Shqipëria përballë ëndrrës europiane”, “Kombet dhe nacionalizmi”, “Shpirti i demokracisë”, “Plaga e shekullit tonë”, “Sfida e Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimit etj.
Ndërsa me librin e tij të parë me poezi “Tingujt e heshtur”, autori Lulzim Cuka, i dëshmon lexuesit se pasioni për artin që në fëmijëri i ka zgjuar dëshirën për t’iu rikthyer krijimtarisë letrare.