Libra të rinj matjanë, Bajram Canameti vjen me Monografi “Rremulli, zemra e Matit”

0

Nëse për poetin e pavdekshëm Dritëro Agolli “Kombi shqiptar fillon nga Mati”, për shkrimtarin, poetin, studiuesin dhe publicistin, matjanin Bajram Canameti, “Rremulli është zemra e Matit”. Pikërisht titullin “Rremulli, zemra e Matit” mban dhe libri i fundëm monografik i Bajram Canametit. Teksa flet rreth këtij libri, Canameti nuk e fsheh krenarinë, se është dhe ai një nga rremullakët kontributivë për Matin.

Ai falenderon Zotin që i dha mundësinë për të realizuar këtë libër, si pjesë e detyrimit të tij jetësor.

Nëse do të lexoni këtë libër, do të bindeni pse Rremullin, këtë fshat të lashtë, Canameti e quan “Zemra e Matit”. Do të njiheni me toponimet, vendet e shenjta, pemët gjenealogjike te fiseve të Rremullit, kontributin e banorëve të tij ndër shekuj në luftrat për liri, figura të njohura me origjinë nga Rremulli, etj. Madje dhe gjeneza e emrit Rremull, sipas Canametit, lidhet me Romulin, themeluesin e Romës së lashtë.

Libri “Rremulli, zemra e Matit” është i ilustruar dhe me vjersha të përshtatura si dhe shumë fotografi që flasin më shumë se fjalët. Thirrja e autorit për lexuesin është: – Merre e lexoje këtë libër, se do të njihesh me shumë të pathëna të fshehura në shekujt e historisë. Aty do të takoni burra të mençur e të shquar, kolosë të fjalës, trima të stuhishëm, atdhetarë të flaktë, dhe përmes jush, fjala dhe vepra e tyre do të udhëtojë ndër breza, thjesht si buka e ngjyer me hënë.