Lezhë- Një kamion me mineral kromi pa dokumentacion është bllokuar në aksin Milot-Morinë.
Policia ka proceduar penalisht shoferin 36-vjeçar i cili u kap duke transportuar kromin në mënyrë të paligjshme.
Ai akuzohet për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave “.
Njoftimi i policisë:
Procedohet penalisht 36-vjeçari, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave”.
Në kuadër të bashkëpunimit me strukturat e DVP Lezhë dhe në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimit ekonomik, shërbimet e Njësisë Operacionale për Autostradën kanë shtuar kontrollet dhe si rezultat kanë konstatuar dhe ndaluar në Milot, mjetin kamion tip “Benz” me mineral kromi.
Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se drejtuesi i këtij mjeti, shtetasi A. Xh. transportonte mineral kromi në mënyrë të paligjshme, pa dokumentacionin përkatës.
Në vijim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë DVP Lezhë proceduan penalisht shtetasin A. Xh. 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave “.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.