Zyrtarët e Bashkisë së Bulqizës një pjesë e të cilëve u arrestuan dy ditë më parë do të qëndrojnë në burg. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masat e sigurisë arrest me burg për 8 zyrtarë e ish zyrtarë të Bashkisë Bulqizë dhe 3 përfaqësues të firmave fituese të tenderit. Burime nga SPAK bëjnë me dije se Prokuroria e Posaçme ka siguruar përgjime ambientale që rëndojnë pozitat e kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla. Përmes këtyre përgjimeve SPAK ka provuar se Alla ka pasur kontakte dhe komunikime me biznesmenim Aqif Konesha i kompanisë që kryente punimet e rehabilitimit të rrjetit të ujit të pijshëm dhe atyre të zeza në lagjen e vjetër të Bulqizës. Madje, Alla, në shoqëri të Koneshës ka udhëtuar jashtë vendit me makinë, dyshohet në drejtim të Maqedonisë së Veriut.

Mësohet se zëvendëskryetarja e bashkisë Bulqizë, Enkeleda Lleshi, kishte dhënë më herët dorëheqje nga detyra pasi nuk donte të bëhej palë në firmosjen e tenderave, por është bindur që të rikthehet.

Një fakt interesant u zbulua në seancën për rivlerësimin e masës së sigurisë, teksa njëri prej personave që ishte raportuar nga SPAK si veprim i ekzekutuar për arrestimin nga policia, në fakt nuk ishte kështu. Leonard Daçi, sekretar i përgjithshëm, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, u paraqit befas në GJKKO rreth 2 orë pas nisjes së seancës. Ai ka shkuar i shoqëruar nga avokati Arben Peci, duke vënë në dijeni trupën gjykuese se ishte një nga të pandehurit e dosjes, dhe ndaj tij ishte marrë në mungesë masa e sigurisë “arrest me burg”. E teksa ishte në banesë pretendon ai, dëgjoi emrin e vet që përmendej në media si një nga të arrestuarit.  E ndërsa gjykata vendosi ta lërë në burg Lefter Allën, ai vazhdon të jetë në detyrë, pasi ende nuk ka një vendim nga Këshilli i Ministrave për Shkarkimin e tij.

Dritan Kurti