Ballina Qarku Diber MAT LAMTUMIRË KOLË NDREKA…!NDAHET NGA JETA NË MOSHËN 88-VJEÇARE “QYTETARI I NDERIT” I...

LAMTUMIRË KOLË NDREKA…!
NDAHET NGA JETA NË MOSHËN 88-VJEÇARE “QYTETARI I NDERIT” I MATIT, KRIJUES LETRAR DHE AUTOR TEKSTESH.

0

Është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare “Qytetari i Nderit” i Matit, krijues letrar dhe autor tekstesh këngësh, ish ushtaraku Kolë Ndreka. Ai u lind më 7 korrik të vitit 1933 në Kushnen të Mirditës. Arsimin bazë e mori në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme në Berat. Shkollën e lartë ushtarake për oficer e mbaroi në Tiranë. Ka punuar drejtues rinie dhe i veprimtarive kulturore në njësinë ushtarake të Korpusit të Matit. Me krijimtari artistike është marrë që nga viti 1956 e në vazhdim, ku u shqua për tekstet brilante të këngëve popullore. Ai është autor i 60 teksteve të këngëve, ku veçojmë këtu këngën për Isa Boletinin.
Ndërsa krijimtarinë e mirëfilltë letrare në Mat e nisi në vitin 1964. Ka botuar 44 libra me poezi, novela, publiçistikë, monografi. Ndër to përmendim vëllimet me poezi “Lot në sytë e hekurt”, “Epilogu i mjegullës”, “Mërgimi i shqipeve”, “Maja e shqiponjës”etj. Kolë Ndreka është autor i ditareve “Muranat e gjakut” dhe “Burreli-800 ditë pa shtet”, i monografive “Lumturi Toptani, jeta peng e një mbiemri”, “Tahir Minxhozi, një jetë me mirënjohje”, “Mustafa Pajenga në kujtesën e matjanëve”, “Xhemal Punavia, ushtarak dhe akademik i shquar”, “Sadik Sana në tri luftra”, etj, i novelave “Heroi i Mirditës, Bardhok Biba”, “Mirdita midis dy kohëve”, “Heroi i Vermoshit” etj. Ndreka lëvroi edhe shkrime në publicistikë si: “Përballë padrejtësisë” dhe kujtime për “Tre këshilltarët e mi” dhe “Për gjuetarët e Matit” etj. Kolë Ndreka ka qenë bashkëpunëtor në botimin e gazetave “Mati Sot” dhe “Mati Nesër”.
Në dhjetor të vitit 2020 këshilli bashkiak Mat e ka vlerësuar Kolë Ndrekën me titullin “Qyetar Nderi i Matit”, për punën dhe kontributin e tij për dekada me radhë, krijimtarinë e pasur, qytetarinë e tij, veprimtarinë e gjërë në Mat e rrethe të tjera të vendit.

Kolë Ndreka, u largua fizikisht duke lënë pas një pasuri të madhe krijuese, por mbi të gjitha emrin dhe veprën e tij.

Exit mobile version