
Rreth 6 muaj pas denoncimit nga Partia Demokratike, Prokuroria e Përgjithshme ka mbyllur procesin e verifikimit për kryebashkiakun e Matit Agron Malaj.
“Ndaj Malajt rezulton të ketë pasur një kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Mat më 11 prill 2019, për të cilin prokurori ka vendosur mosfillim të procedimit penal”
Ndërsa për akuzën e ndryshimit të gjeneraliteteve, prokuroria shprehet se kjo akuzë nuk qëndron sepse Malaj nuk ka ndryshuar të dhënat që çojnë në identifikimin e tij. Gjithashtu prokuroria thekson se nuk rezulton të ketë indicie, të dhëna apo fakt për veprimtari kriminale brenda vendit, urdhër kërkimi ndërkombëtar, masë dëbimi apo ndryshim të gjeneraliteteve.
“Drejtoria e Gjendjes Civile ka paraqitur në Prokurorinë e Përgjithshme të dhënat personale të Agron Malajt. Refereruar këtyre të dhënave rezulton se subjekti nuk ka kryer ndryshim në përbërësit e gjendjes civile.
Malaj nuk rezulton të ketë ndryshime në përbërit e gjendjes civile, ndërsa pavarësisht se në vendimet gjyqësore të ndryshme evidentohet si Agron Rufat Malaj dhe Agron Rifat Mala, nisur nga të dhënat si amësia, ditëlindja apo krahasimi i gjurmëve të gishtave rezulton se kemi të bëjmë me të njëjtin person”, thuhet në shkresën e prokurorisë.
Lidhur me pretendimin e PD për heqje të mandatit të kryebashkiakut ndaj Malajt, prokuroria shprehet se duhet të shprehet departamenti i dekriminalizimit me kërkesë të KQZ.
“Ky vendim mbi rezultatet e verifikimit do t’i njoftohen brenda tre ditëve Komisionit Qendror të Zgjedhore, i cili si organ kompetent duhet të shqyrtojë nëse janë evidentuar të dhëna që përfshihen në sferën e kufizimeve”.


