
Dy javë më parë, Administratori i Klubit të Futbollit “Burreli” duke bërë bilancin e sezonit futbollistik që lam pas, u shpreh se i gjithë klubi do t’i nënshtrohej një analize dhe se ai vetë do të mendonte qëndrimin e tij në krye të klubit, duke pranuar se kishte gabuar në merkaton e dimrit ku duhej të ndërhynte në stafin teknik por edhe tek futbollistët. Pikërisht për këtë arsye, Ballabani mendoi largimin nga drejtimi i klubit, por në bisedat me Kryebashkiakun e Matit Agron Malaj është vendosur që ai të vijojë edhe për sezonin e ardhshëm të jetë në krye të klubit të Futbollit “Burreli”. Administratori Ballabani tha për Mat Televizion se do të vijojë rrugën e nisur, por fillimisht falenderoi të gjithë ata që e mbështetën gjatë kësaj kohe.
“Unë ndjeva përgjegjësinë time për atë ç’ka nuk arritëm dot në sezonin e kaluar. E kam thënë edhe më parë që duhej të kishim ndërhyrë gjatë merkatos së dimrit në stafin teknik por edhe në përforcim të skuadrës. Kjo më bëri që unë të mendoja pozicionin tim në krye të klubit. Por pas disa takimeve me kryetarin e Bashkisë, Agron Malaj, me dëshirën e këtij të fundit por edhe mbështetjen e tifozërisë së zjarrtë, vendosa që të vazhdoj ta drejtoj klubin. Dua të falenderoj kryebashkiakun i cili ka qenë vazhdimisht një mbështetje e madhe për klubin e sportit Burreli, duke bërë gjithçka që skuadra kishte nevojë. Megjithëse është ende herët për tu finalizuar, kemi nisur punën për gjetjen e një trajneri të ri pasi do të ketë shumë ndryshime në stafin teknik poor edhe tek lojtarët. Gjej rastin të falenderoj të gjithë ata futbollist që luajtën në sezonin e kaluar ndershmërisht dhe ndhanë maksimumin e tyre për fanellën e Burrelit. për të gjithë këta, dera jonë do të jetë e hapur dhe do t’i mirëpresim me kënaqësi” – përfundoi Ballabani.
Ende nuk është e qartë se cila do të jetë përbërja e skuadrës matjane në sezonin e ardhshëm, por ajo që pritet është që do të ketë ndryshime si në stafin teknik ashtu edhe në përbërjen e lojtarëve.