Lagjja “Çupaj” në Vajkal po rrezikohet, banorët: toka po rrëshqet dhe banesat po çahen

Lagjja “Çupaj” në Vajkal po rrezikohet, banorët: toka po rrëshqet dhe banesat po çahen

Banorët e lagjes “Çupaj”, në fshatin Vajkal të Bulqizës, janë të shqetësuar për rrëshqitjen e tokës. Prej disa vitesh ata po përballen me rrëshqitje të vazhdueshme të dheut, i cili ka shkaktuar dëme të mëdha. Bashkim Çupi tregon se problemet në këtë lagje kanë nisur që me hapjen e trasesë së rrugës së Arbrit, më shumë se 15 vite më parë. Ai thotë se asnjë drejtues vendor nuk ka marrë masa deri tani për parandalimin e rrëshqitjes së tokës, ndërsa ajo vijon të çahet çdo vit. Çupi shton se veç tokës apo mureve rrethuese, dëme kanë pësuar edhe banesat, të cilat për pak kohë mund të rrezikojnë shembjen. Sipas tij, apeli i drejtuar pushtetit vendor në gjithë këto vite ka rënë në vesh të shurdhër. Më të rrezikuara nga lëvizjet e tokës janë banesat e vjetra, ku shumë prej tyre kanë pësuar çarje të mëdha në mure. Kjo nuk është hera e parë që banorët e kësaj lagjeje e ngrejnë edhe mediatikisht këtë shqetësim, ndërsa apeli i tyre deri tani ka rënë në vesh të shurdhër.