Ndonëse banorët që jetojnë në qendër të fshatit Radovesh në zonën e Gollobordës, në Njësinë Administrative Ostren në Bashkinë e Bulqizës u ankuan për mungesën e ujit të pijshëm, banorë që jetojnë në lagje kanë edhe më shumë probleme. Shumë lagje ende nuk kanë një rrugë makine, duke bërë që çdo gjë ta transportojnë në krah apo me kafshë ngarkese. Vetë banorët shprehen se politikanët apo drejtuesit shkojnë pranë tyre vetëm në fushata elektorale, ndërsa më pas jeta vazhdon e njëjtë, me të njëjtat probleme prej 30 vitesh. Mungesa e investimeve ka bërë që pjesa më e madhe e banorëve ta braktisin. Banesat e mbetura bosh sa të rrënuara e sa gati në rrënim të plotë janë të konsiderueshme. Si të mos mjaftonte mungesa e rrugës automobilistike, banorët vujanë edhe mungesën e sistemimit të ujërave të ndotura. Fëmijët detyrohen të luajnë në prani të ujërave të ndotura.