La emigrimin për të punuar në vendlindje, zhgënjehet fermeri nga Sohodolli i Dibrës
Midir Tufa nga fshati Sohodoll, i Njësisë Administrave Kastriot në Bashkinë Dibër, është nga të paktët që kanë lënë emigrimin për të investuar në vendlindjen e tyre. Po si shumë të tjerë, edhe Midiri thotë se ndihet i zhgënjyer. Ai prej vitesh ka kultivuar lloje të ndryshme perimesh e zarzavatesh, por nuk ka marrë kurrë sipas tij djersën e derdhur e mundin e gjithë familjes. Midir Tufa është kthyer nga Greqia ku ka punuar atje shumë vite në këtë sektor. Me shpresën se në vendin e tij gjërat kanë ndryshuar, ai u rikthye dhe kultivoi një sipërfaqe të madhe me lakër, që fatkeqësisht i ka mbetur në fushë dhe i është kalbur. Sipas fermerit Tufa edhe kriteteret e vendosura nga Qeveria për të përfituar mbështetje nga shteti janë diskriminuese dhe përjashtuese për shumë fermerë si ai. Tjetër problem që ngre fermeri Tufa është edhe mungesa e asistencës nga specialistët e bujqësisë. Po ashtu, edhe ilaçet që marrin për kulturat e ndryshme bujqësore, sipas Tufës janë jo efektive. I gjndur në kushtet e humbjes së shpresës që bujqësia do të marrë vëmendjen e merituar, ku fermerët të kenë mundësi të ushtrojnë aktivitetin e tyre dhe të rriten ekonomikisht, fermeri Midir Tufa thotë se do të emigrojë sërish në Greqi.