Ky është 37-vjeçari dibran që ekzekutoi me armë zjarri Bujar Çelën në Elbasan; në kërkim për një sërë veprash kriminale
Personi që shikoni në foto është Nuredin Dumani, 37-vjeçari nga Dibra, banues në Durrës, i shpallur në kërkim për vrasjen e Bujar Çelës. Policia njoftoi sot se ai është njëri nga ekzekutorët që tashmë është shpallur në kërkim për vrasjen e vëllait të të shumëkërkuarit, Talo Çela.
Identifikimi i Dumanit, u bë nga kamerat e sigurisë së lokalit në zonën e Bradasheshit në Elbasan, ku edhe u ekzekutua me armë zjarri Bujar Çela.
Dumani ishte në kërkim prej një viti dhe tashmë Prokuroria e Elbasanit ka lëshuar edhe një urdhër arrest të dytë për 37-vjeçarin. Ai akuzohet gjithashtu edhe për pjesëmarrje në ekzekutimin e bujshëm të dy vëllezërve Haxhia në Durrës; Viktor dhe Besmir Haxhia.
Gjithashtu, mbi ‘shpinën’ e Dumanit rëndon edhe akuza për një tjetër vrasje të ndodhur në Durrës, ajo e dy shokëve Anxhelo Avdiaj dhe Dorian Shkoza.
Ai ka rezultuar të jetë i përfshirë gjithashtu edhe në një rrjet prostitucioni, grupi i të cilit u shkatërrua në vitin 2018. Ishte pikërisht rrëfimi i një 18-vjeçareje nga Durrësi që ishte shfrytëzuar si prostitutë në Francë, e cila zbulloi rrjetin e trafikantëve, të cilët ishin nën hetim në Francë, Shqipëri e Itali.
Vajza me inicialet A.K., gjimnaziste në një shkollë në qytetin bregdetar, vendosi t’u shpëtojë trafikantëve, duke u hedhur mbi një makinë policie në Bordo të Francës. Më pas ajo mori statusin e viktimave që mbrohen nga shteti dhe rrëfeu gjithçka dinte para autoriteteve.