Kuvendi i Shqipërisë viktimë e sulmit kibernetik: Të dhënat e punonjësve në shënjestër
Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar pas një sulmi kibernetik të drejtuar ndaj infrastrukturave të tij kompjuterike nga grupi i quajtur ‘Homeland Justice’.
Në njoftimin zyrtar, institucioni sqaron se mbrëmjen e djeshme është konstatuar mungesa e disa informacioneve dhe një akses i paautorizuar në infrastrukturën e tij IT. Megjithatë, theksohet se infrastruktura kryesore e punës së Kuvendit nuk është prekur.
Kuvendi bën të ditur se për menaxhimin e kësaj situate, është ngritur menjëherë një skuadër teknike dhe hetimore. Kjo skuadër po punon intensivisht për analizimin e plotë të incidentit, identifikimin e burimit të sulmit dhe rikthimin e të dhënave të prekura.
Vlerësimi paraprak teknik tregon se mund të bëhet fjalë për një sulm të sofistikuar kibernetik, me qëllim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme. Gjatë verifikimeve, është vënë re fshirja e një pjese të informacionit në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës.
Nga analizat e para rezulton se faqja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë dhe sistemet e tjera që mbështesin funksionimin e institucionit vijojnë të funksionojnë normalisht, pa ndërprerje.
Menjëherë pas konstatimit të incidentit, janë marrë masa urgjente për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe për neutralizimin e sulmit. Ndërkohë, ekipet teknike po punojnë me përkushtim për rikuperimin e të dhënave të fshira në llogaritë e përdoruesve.
Në këtë proces, Kuvendi i Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me institucionet përgjegjëse për sigurinë kibernetike në vend, përfshirë Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Drejtorinë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit dhe Komandën Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes. Gjithashtu, mbështetje teknike dhe komunikim për vlerësimin e situatës po ofrohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë.